Gaz lotsjellës e përleshje për muaj të tërë e përcollën Kuvendin e Kosovës për shkak të kundërshtimit që opozita kishte për dy marrëveshje.
Ajo për demarkacionin me Malin e Zi, e nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe tjetra për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e nënshkruar nga Isa Mustafa, raporton KTV.
U tha se nuk mund të ketë kthim mbrapa për to, por tani partia më e madhe pjesë e koalicionit, PDK-ja, ka ndërruar qëndrim.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, duke folur edhe në emër të partisë së tij, ka thënë se nëse është nevoja, çështja do të dërgohet edhe në Gjykatën e Arbitrazhit.
Por, këto, ka shtuar Grabovci, duhet të bëhen vetëm me argumente, të cilat ka thënë se mund të paraqiten e të ndryshohen kur Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me Mali e Zi, të vijë në Kuvend.
Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se në muajt e verës do ta dërgojë në Kuvend çështjen e demarkacionit, për të cilën ka thënë se nuk ka ndryshim, duke shfaqur mendime të ndryshme të partnerëve të koalicionit për këtë.
Partitë opozitare, tashmë të ndara e jo në bllok, kanë paralajmëruar se kur çështja e demarkacionit të shkojë në Kuvend, ata do të kthehen për të marrë pjesë aty.