Dy partitë shqiptare Partia Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje, kanë hapur sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Shaqir Hetemi kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryetar të Leposaviqit tha për Telegrafin se kanë përfunduar përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“PDK dega në Leposaviq, ka formuar shtabin zgjedhor dhe ka filluar sot zyrtarisht fushatën që do të marrim pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme”, ka thënë Hetemi në një deklaratë për Telegrafin.
Edhe Vetëvendosje konfirmoi se do të kenë disa aktivitete gjatë fushatës zgjedhore. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
“Kemi me i pas disa aktivitete, takime nëpër shtëpi të elektorateve, dhe nesër do t’i bëjmë vizitë edhe bizneseve”, tha ai.
Atiq tha se vizitat nëpër shtëpi do t’i fillojnë sot rreth orës 15:00.
Kujtojmë se fushata zgjedhore do të vazhdojë deri më 17 maj.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.
Të drejtë vote në Mitrovicën veriore kanë 22,242 persona; në Leposaviq 18,390 persona në Zveçan 9,276 persona dhe në Zubin Potok 8,612 persona.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore do të mbahen me simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës./Telegrafi/