Site icon Telegrafi

PDK dhe LDK reagojnë për shkarkimin e Dakës: Një vendim politik dhe skandaloz

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra si dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kanë reaguar për shkarkimin e ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës (KQZ), Valdete Daka nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Deliu-Kodra gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka thënë se shkarkimi i saj është politik si dhe dënon rëndë demokracinë si dhe institucionet e pavarura në vend.

Ajo gjithashtu tha se ky shkarkim po bëhet para zgjedhjeve lokale në vend.

Deliu-Kodra theksoi se presidentja është duke shkelur Kushtetutën e Kosovës pasi është duke zbatuar urdhrin politikë të kryeministrit, Albin Kurti.

“KQZ-ja në këtë fazë të përgatitjes së zgjedhjeve ka pasur nevojë si asnjëherë më parë për stabilitet. Osmani ka shkelur kushtetutën duke zbatuar urdhrin politikë të Kurtit për ta kapur këtë institucion të pavarur. Daka është sulmuar në mënyrën më vulgare nga eksponentët e LVV-së. Është kërcënuar personalisht dhe familjarisht. Osmani në vend që ta dëshmoj forcën për mbrojtën e një gruaje me dinjitet, ajo doli në anën tjetër. Kjo flet më së miri për dhunën politike që po bën qeveria Kurti përmes presidentes”, ka thënë ajo.

Edhe Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë se një vendim i tillë paraqet një precedent të rrezikshëm dhe është skandaloz.

Sipas tij, ky vendim është kapje e institucioneve të pavarura të vendit.

“Sipas vlerësimit tonë një vendim i tillë paraqet një precedent të rrezikshëm dhe është skandaloz. Veprimi i tillë nuk mund të kuptohet ndryshe pos përpjeke për kapje të institucione të pavarura”, tha ai.

Siç u shpreh Selmanaj, Kushtetuta e Kosovës nuk e ka paraparë shkarkimin e kryetarit të KQZ, por vetëm emërimin. /Telegrafi/

Exit mobile version