Site icon Telegrafi

PDK dënon “trenin bullgar” në Mitrovicë: Çdo votë është jetike

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot konferencën e radhës për media në kuadër të balotazhit ku ky subjekt po garon në dhjetë komuna, në Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Vushtrri, Rahovec, Klinë, Kaçanik, Shtime, Dragash e Malishevë.

Deputetja dhe anëtarja e kryesisë së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se procesi zgjedhor po vijon kryesisht në mënyrë të rregullt dhe të qetë.

“Fatkeqësisht procesin demokratik zgjedhor po e kërcënojnë dhe rrezikojnë njerëz të dyshimtë të kryetarit në largim Agim Bahtirit në Mitrovicë, duke tentuar që sërish ta aplikojnë të ashtuquajturin ‘trenin bullgar’ për vjedhje të votave”, tha Deliu-Kodra.

“Është raportuar për arrestimin e një personi, në Zhabar të Poshtëm të Mitrovicës, i cili është zënë jashtë vendvotimit me një fletëvotim të mbushur për AKR-në. I ftojmë organet e rendit dhe ligjit që të jenë në krye të detyrës dhe askund të mos lejojnë cenimin e procesit demokratik zgjedhor, pas veprimeve të ulëta të njerëzve të Agim Bahtirit të cilët po e prishin procesin duke e aplikuar për të satën herë ‘trenin bullgar’, ka thënë Deliu-Kodra.

Në emër të PDK-së, ajo ka ftuar të gjithë qytetarët e Mitrovicës të mos bien pre e provokimeve të tilla të ndyta dhe, siç tha ajo, të votojnë sipas vullnetit të tyre për ta ndryshuar Mitrovicën nga gjendja e stagnimit.

Ajo tha se çdo votë është jetike për fatin e të gjitha komunave.

“Ftojmë të gjithë qytetarët në të gjitha lokalitetet anekënd Kosovës të vazhdojnë të dalin masivisht në vendvotime, të dalin në numër së më të madh, që me verdiktin e tyre t’ua mundësojnë komunave të tyre një të ardhme të ndritshme, duke kontribuar kështu edhe për rritjen e mirëqenies së tyre”, ka shtuar Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra ka ftuar qytetarët e Prizrenit, Mitrovicës, Ferizajt, Vushtrrisë, Rahovecit, Malishevës, Klinës, Shtimes, Dragashit e Kaçanikut që të marrin të gjithë familjarët dhe miqtë e tyre për të votuar.

“Fati i komunave tuaja për katër vjetët e ardhshëm është vetëm dhe vetëm në duart tuaja. Prandaj, ndani pesë minuta për të votuar, për ta vendosur vetë fatin tuaj dhe të komunave tuaja”, ka thënë Deliu-Kodra para gazetarëve.

Exit mobile version