Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi bëri homazhe pranë arkivolit të Haxhi Thaçit si dhe u nënshkrua në librin e zisë.
Babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, vdiq të dielën pasi për një kohë qëndroi i shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gjykata Speciale nuk i ka dhënë leje Hashim Thaçit që të marrë pjesë në varrimin e babait të vet.
Sipas Krasniqit, kjo është e padrejtë dhe e papranueshme.
“Është një humbje e cila bëhet edhe më rëndë sidomos për shkak të mungesës së presidentit Thaçi që nuk u lejua të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Së paku në fund të jetës së bacës Haxhi ai e pati mundësinë ta shoh edhe njëherë por besoj që është krejtësisht e padrejtë dhe e papranueshme, dhe e paarsyeshme, mungesa e presidentit Thaçi sot në varrimin e babait të tij”, tha Krasniqi të martën pas homazheve në Skenderaj, raporton kp.
Homazhe kanë bërë edhe ish-bashkëpunëtorë të tjerë të Thaçit, ish-komandantë të UÇK-së, politikanë e qytetarë.
Nasim Haradinaj nga OVL-UÇK e quajti të padrejtë vendimi ne Speciales për të mos e lejuar Thaçin të marrë pjesë në varrim.
“Kjo gjykatë është jo vetëm raciste, por edhe selektive por tani kohën e fundit po i merr fytyrën dhe po i shfaq faqen e zezë edhe investitorëve që e financojnë atë gjykatë. Prandaj, jo pa të drejtë Shtëpia e Bardhë e quan kryeprokurorin dhe këtë gjykatë si matrapazë dhe përbindësha. Prandaj, unë mendoj se është koha e fundit që populli të tregojë se ne, djemtë tanë lirinë tonë jo emra të përveçëm, i duam këtu dhe ne jemi UÇK. Brumi dhe bërthama e shtetësisë është UÇK, atyre që ua vranë sytë të përgatiten do t’ua vranë çdo herë”, tha ai.