Site icon Telegrafi

PD sulmon prokurorinë: Ka 10 ditë që hesht për shoferin e Xhafajt

Partia Demokratike ka deklaruar se Prokuroria e Tiranës, “pasi shpalli që ditën e parë vetëvrasjen e shoferit të Xhafajt, pa bërë asnjë hetim, tani ka 10 ditë që hesht”.

“Që kur ndodhi vrasja e shoferit të Xhafajt, qëllimi i vetëm i Prokurorisë së Tiranës është manipulimi i hetimit dhe mashtrimi i publikut, ndaj brenda katër orësh ajo lëshoi një deklaratë të hartuar në zyrën e Fatmir Xhafajt se shoferi është vetëvrarë. Prej atij momenti, Prokuroria e Tiranës është zhdukur dhe nuk po bën më asnjë lloj transparence me shpresën së çështja do të harrohet. Është e njëjta taktikë që Rama dhe Xhafaj përdorën me audioregjistrimin e pazareve të drogës të Agron Xhafajt. Ata e shpallen videon fallco brenda pak orësh dhe që atëhere janë zhdukur. Bllokimi i hetimeve për vrasjen e shoferit të Fatmir Xhafajt vërteton përfundimisht se i gjithë sistemi i Prokurorisë kontrollohet nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj”, thuhet në deklaratën e PD-së.

“Prokuroria e Përgjithshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda, Prokuroria e Tiranës, Prokuroria e Durrësit janë të gjitha marioneta në duart e Edi Ramës dhe instrumenta për të mbrojtur krimin në qeveri. Që pas emërimit të Arta Markut, e cila ndryshoi të gjithë drejtuesit e sistemit të Prokurorisë, janë bllokuar dhe zvarritur të gjitha hetimet e rëndësishme kundër krimit, drogës dhe korrupsionit. Pa çlirimin e Prokurorisë nga kthetrat e Edi Ramës nuk do ketë drejtësi të vërtetë në vend”, shtohet në deklaratën e PD-së. /TCH/

Exit mobile version