Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli mbi reformën në drejtësi, duke u shprehur edhe një herë qëndrimin e Partisë Demokratike për zbatimin e plotë të rekomandimit 88 të komisionit të Venecias.
“Ne kërkojmë ta përfundojmë reformën në drejtësi, por ne kërkojmë drejtësi për shqiptarët dhe jo një peshqesh për Edi Ramën. Qëndrimi ynë mbetet zbatimi i plotë i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias. Reforma do të bëhet vetëm sipas Komisionit të Venecias, dhe jo e kapur nga Edi Rama”, tha Basha.
Ndër të tjera, kreu i opozitës akuzoi edhe një herë se Edi Rama është armiku i drejtësisë së pavarur. Ai shtoi në fjalën e tij se drafti i njëanshëm do të takohet me dështimin e plotë në parlament.