Presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopoulos, ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e tij lidhur me çështjen e emrit me Maqedoninë dhe integrimin euroatlantik të fqiut verior të Greqisë.
Ai sot tha se që IRJM-ja të integrohet në NATO dhe BE duhet të bëjë revizion të kushtetutës dhe të largojë irredentizmin, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Për integrimin e IRJM-së në NATO dhe BE duhet të zgjidhet çështja e emrit, që si parakusht duhet të ketë revizion kushtetues dhe eliminim të irredentizmit. Kjo është mënyra e vetme që të shkohet para në integrimin e IRJM-së në NATO dhe BE”, tha Pavlopoulos në fjalimin e tij në Komunën e Peonisë, ku u shpall qytetar nderi.
Këto deklarata të presidentit grek vijnë 24 orë pas takimit të shefave të diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, të cilët gjatë ditës së djeshme nën ndërmjetësimin e Matthew Nimetz edhe një herë tentuan të tejkalojnë dallimet rreth çështjes së emrit./Telegrafi/