Site icon Telegrafi

Pavlopoulos kërcënon sërish Shqipërinë për integrim në BE

Copyright GEORGE KONTARINIS ÃÉÙÑÃÏÓ ÊÏÍÔÁÑÉÍÇÓ EUROKINISSI

Dy ditë pas votimit nga Parlamenti shqiptar të ligjit për pakicat kombëtare kanë ardhur edhe reagimet e Athinës zyrtare.

Në fillim zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Aleksandros Gjenimatas, i cili i pyetur nga gazetarët ka deklaruar:

“Në vend që të sigurojë të drejtat e pakicave në vend, bazuar në standardet europiane, projektligji që votoi Parlamenti shqiptar mbi mbrojtjen e minoriteteve përjetëson abuzimet e regjimit të Enver Hoxhës. Ky është një hap përpara për pakicat reale dhe joekzistuese dhe një hap prapa për minoritetin kryesor dhe ekzistues të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.

Ndërsa nga Korfuzi, në përurimin e muzeumit të politikanit të njohur grek të shekullit të XVIII, Ioannis Kapodistrias, presdienti grek Prokopis Pavlopoulos ka çuar përsëri një mesazh ndaj Tiranës në lidhje me integrimin europian, duke iu referuar sërish çështjes së pronave të minoritetit grek në Himarë, si dhe bashkëpunimit të Shqipërisë me Kosovën, pas vizitës së presidentit Meta në Prishtinë.

“Me sjellje të një aventurizmi ndërkombëtar, si ato që po shohim së fundmi të shtohen mes Tiranës dhe Prishtinës, të cilat janë sjellje të shkeljes brutale të të drejtave të njeriut, si dhe ato që po ndodhin me minoritetet ose me të drejtën e tyre të pronësisë, Shqipëria për fat të keq po dëmton procesin e anëtarësimit dhe kjo është përgjegjësia e saj. Megjithatë, ne nuk do të mbetemi inaktivë ndaj sjelljeve të tilla. Ne i detyrohemi Greqisë dhe Europës”, tha presidenti grek Pavlopoulos.

Kjo është hera e tretë brenda disa javëve, që presdienti grek thekson në mesazhet e tij ndaj Tiranës faktin se Shqipëria me veprimet e saj po minon rrugën e saj europiane.

Exit mobile version