Site icon Telegrafi

Pavarësisht se u ndalohet jomyslimanëve, gazetari hebre hyri ‘vjedhurazi’ në Mekë – njeriu që e ndihmoi atë u arrestua nga policia saudite

Policia në Mekë thotë se ka arrestuar një burrë saudit i cili ndihmoi një reporter izraelito-hebre që të futej ‘vjedhurazi’ në qytetin më të shenjtë të Islamit, duke kundërshtuar një rregull që vetëm myslimanët mund të hyjnë në zonë.

Ndërsa myslimanët e çdo kombësie dhe prejardhje mund të hyjnë në Mekë, jomyslimanët nuk lejohen sepse një kod shumë specifik sjelljeje kërkohet nga të gjithë njerëzit brenda kufijve të saj, duke përfshirë disa forma modestie, pastrimi ritual dhe lutjet, shkruan AP, përcjell Telegrafi.

Sipas mediumit në fjalë, reagimi i publikut për vizitën e gazetarit televiziv Gil Tamary ishte i menjëhershëm në mediat sociale, me myslimanët dhe sauditët që shprehën zemërimin e tyre për mashtrimin e tij dhe shpërfilljen e dukshme për shenjtërinë e vendit.

Andaj, protesta duket se ka shtyrë policinë saudite të premten vonë të njoftojë arrestimin e sauditit për të cilin ata thonë se ka lehtësuar hyrjen e gazetarit në Mekë në shkelje të qartë të rregulloreve që ndalojnë hyrjen e jomyslimanëve.

Shtetasi mashkull saudit, identiteti i të cilit nuk u zbulua, u referua në ndjekje penale dhe mbetet i arrestuar.

Gazetari veteran i Channel 13 në Izrael e filmoi veten në Mekë për një segment afërsisht 10 minuta që u transmetua të hënën, në të cilin ai vizitoi një vend kyç në rrugën e pelegrinazhit të haxhit ku Profeti Muhamed mbajti predikimin e tij të fundit rreth 1,400 vjet më parë.

Ai pretendoi se ishte hebreu i parë izraelit që hyri në qytet. Ai nuk e identifikoi veten si izraelit apo hebre para shoferit gjatë regjistrimeve.

Meka është shtëpia e faltores më të shenjtë të Islamit, Qabesë në formë kubi. Ajo është gjithashtu destinacioni përfundimtar për haxhin mysliman dhe pelegrinazhin më të vogël të umres.

Policia u bëri thirrje vizitorëve që të respektojnë ligjet e vendit, veçanërisht kur bëhet fjalë për Mekën dhe vendet më të shenjta të Islamit në mbretëri. /Telegrafi/

Exit mobile version