Ish-mesfushori i Manchester United, Paul Pogba, më në fund ka folur për arsyen se pse dëshiroi që të largohej nga klubi.
Pogba ka luajtur në akademinë e Unitedit, por bëri vetëm tri paraqitje për ekipin e parë gjatë asaj kohe para se të transferohej tek Juventusi në 2012.
Ai shkëlqeu gjatë kohës së tij në Turin, e cila i fitoi atij rikthimin tek Unitedi në vitin 2016 për shumën e 89 milionë eurove.
Pogba momentalisht po vuan dënimin prej 18 muajsh i cili u reduktua nga katër vite pas apelit, për shkak se kishte dështuar në testin e dopingut pas ndeshjes ndaj Udineses në shtator të 2023.
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv kishte pranuar se konsumi i substancës së ndaluar nuk ishte bërë me qëllim nga francezi.
Pogba diskutoi disa tema të ndryshme në një intervistë për Daily Mail, duke zbuluar arsyen pse dëshiroi të largohej nga Unitedi në vitin 2018 përkundër faktit se pranoi që atë vit ishte sezoni i tij më i mirë.
“Po ju tregoj diçka që nuk i kam thënë askujt. Atë vit Jose (Mourinho) u largua dhe Ole (Solskjaer) erdhi, ishte sezoni im më i mirë tek Unitedi, por pas ndeshjes së fundit, unë i thashë Oles dhe më pas Woodwardit (shefit) se mendoj që është viti im i fundit dhe dua të largohem”, ka thënë Pogba.
“Unë bisedova me Woodward për të bërë një lëvizje, por ai e bllokoi atë. Unë nuk doja të luaja më për Unitedin por duhej të isha profesionist. Mentalisht nuk isha atje, pastaj pësova edhe lëndime”.
Gjatë sezonit 2018/2019, Pogba shënoi 13 gola dhe dhuroi nëntë asistime në 35 ndeshje në Ligën Premier./Telegrafi/