Site icon Telegrafi

Paul Pogba merr një ofertë konkrete nga klubi i famshëm që nuk njihet nga FIFA

Paul Pogba ka marrë një ofertë të pazakontë për të luajtur për një ekip amator në Rusi teksa ish-ylli i Manchester United po bëhet gati që të rikthehet në aksion në vitin 2025.

Pogba paraprakisht ishte dënuar me katër vite pasi u shpall fajtor për përdorim të substancës DHEA – një përbërës që promovon prodhimin e hormoneve në trup duke përfshirë testosteronin në sistemin e tij.

Sidoqoftë, pas një apeli të suksesshëm, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e ka reduktuar dënimin e tij në vetëm 18 muaj.

Teksa Pogba tashmë ka vuajtur shumicën e këtij dënimi, ai mund të nis stërvitjet profesionale në janar dhe ta bëjë rikthimin e plotë në mars të vitit të ardhshëm.

 

Pogba momentalisht është i lidhur me një kontratë tek Juventusi deri në vitin 2026, por është lënë të kuptohet se gjiganti italian do ta lejojë mesfushorin ta ndërpresë kontratën.

Sipas Foot Mercato, Pogba është kontaktuar nga ‘Broke Boys FC’ që janë një ekip amator që përbëhet nga persona të famshëm në Rusi dhe nuk njihet nga FIFA.

Ata luajnë në ‘Media Football League’, e cila operon në një ligë jozyrtare që përbëhet nga influencerë dhe persona të famshëm të vendit.

Përkundër faktit që nuk janë një nivel profesional i futbollit, kjo ligë megjithatë tërheq mijëra shikues teksa këtë vit Broke Boys fituan titullin para 27 mijë tifozëve.

Ish-reprezentuesi francez gjithashtu është lidhur me një kalim të mundshëm edhe tek Marseille pas reduktimit të dënimit./Telegrafi/

Exit mobile version