Faruk Tasholli
Bashkësia Shqiptare me seli në Dyseldorf të Gjermanisë, mbrëmë, me një program kulturor shënoi 550-vjetorin e vdekjes së kryeheroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Nga i gjithë programi, për të cilin duhet përgëzuar organizatorin, ishte një pikë e veçantë, madje shumë e rrallë në këso rastesh: hapja e ekspozitës së librave të vjetër nga autorë shqiptarë e evropianë, që nga viti 1596. Ishte ky koleksioni i i londinezes së kujdesshme dhe të pasionuar pas figurës së Skënderbeut, zonjës Patricia Nugge, e cila edhe pse e moshuar kishte ardhur pa përtesë nga Londra bashkë me një pjesë të librave treqindvjeçarë.
E lodhur nga udhëtimi dhe nga mosha, me shkopin e saj dhe me ndihmën e zonjës së ambasadorit shqiptar në Danimarke Kastriot Robo, Patricia Nugee, u ngjit në skenën e sallës ku po mbahej manifestimi, duke reflektuar nga sytë e saj pasionin e madh për figurën e Skënderbeut. Duke iu drejtuar publikut shqiptar dhe gjerman, Nuge, ndër te tjera tha se “nuk dua të flas këtu për jetën dhe bëmat e Skënderbeut, pasi unë nuk jam një historiane, por thjeshtë një koleksionistë e pasionuar për librat që kanë shkruar autorë të vjetër shqiptarë, italianë, spanjollë, portugezë, gjermanë, anglezë, francezë etj., qofshin ata historianë, shkrimtarë, filozofë apo publicistë të kohës, të cilët i ka tërhequr figura dhe epoka e tij”.
“Emrin e Skëndërbeut e gjeta derisa isha duke punuar në një librari antike në Londër kur një lexues kërkoi një libër për të. As që kisha dëgjuar për Skënderbeun. Kërkova ndihmën e bosit im, Trifo Max, i cili u angazhua të më gjente librin e parë për Skënderbeun. Kështu filloi njohja ime me këtë figurë, për të cilën hulumtova në vazhdimësi të gjej libra që janë shkruar për jetën e tij. Në antikuariat nëpër botë, ka tridhjetë vjet që unë kam blerë libra të vjetër, të lirë, të shtrenjtë dhe shumë të shtrenjtë për Skënderbeun. Tash në koleksionin tim i kam 37 libra të vjetër për Skënderbeun. Gjithashtu, edhe mbretëresha e Anglisë, Elisabetha I, është lutur për Skënderbeun, për këtë figurë që sfidoi një perandori”, tha ajo.
Në fund të fjalës së saj të shkurtër, e përcjell nga duartrokitjet e të pranishmëve në shenjë falënderimi për punën e saj të madhe për Skënderbeun, ftoi ata që ta shikojnë koleksionin, duke sugjeruar që është shumë atraktiv.
Në një kafaz qelqi, libra të vegjël e voluminozë, të ardhur nga një lashtësi ku shkrimi ishte vështirë të ruhej, mahniti vizitorët të cilët mezi prisnin t’i afroheshin atij koleksioni, asaj pasurie të rrallë historike për kryeheroin kombëtar shqiptar, Skënderbeun. Derisa vizitorët kuriozë i ishin qasur koleksionit, u ndalëm pak për të biseduar me znj. Nugee, e cila na tha se këtu ka libra që janë shkruar përpara vitit 1800.
“Këtu kam sjellë një pjesë të koleksionit tim. Janë libra të shkruar në gjuhë të ndryshme për Skënderbeun dhe nga autorë të ndryshëm. Secili prej autorëve jep dimensionet e tij të mëdha dhe përcjell historinë e luftës së tij. Emrat e autorëve që unë sjell janë Marin Barleti, që ka edhe veprën më të vjetër, 1510; Frang Bardhin origjinal me ‘Fjalorin’ e vitit 1635; Jean Nicolas Duponcet, ‘Historia e Skënderbeut, mbret i Shqipërisë’, 1709; Giovanni Maria Biemi me ‘Historia e Gjergj Kastriotit, i quajtur Skënderbe’, 1742; ‘Ritrati et logi di capitani illustri’, Giulio Rosio, 1646; ‘Scanderbeg: or love and liberty’, Thomas Whincap, 1747; Jean de Bussieres me ‘Scanderbeg, poem’, 1656-1658; një vepër nga Andrea Gambini, 1652…”, ka thënë ajo.
Koleksionistja londineze e librave antikë për Skënderbeun, gjatë ekspozitave të mëparshme e edhe këtë të mbrëmshmen, nuk ka kërkuar asnjë cent kompensim ose ndonjë shpërblim tjetër, pos mirënjohjes së shqiptarëve për këtë vepër të saj. /Telegrafi/