Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar publikimin e regjistrave të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publik për vitin 2021.
Sipas deklarimit, përcjell Telegrafi, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej mbi 440 mijë euro.
Mehmeti në formularin e deklarimit thotë se të hyra neto vjetore i ka mbi 52 mijë euro.
Ai tregon se posedon dy vetura në vlerë të përgjithshme prej 48 mijë e 200 euro.
Në formularin e tij, Mehmeti ka deklaruar se ka mbi 111 mijë euro kursime, të cilat janë edhe në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve.
Në emër të detyrimeve, guvernatori i BQK-së thotë se ka mbi 26 mijë euro kredi për blerje të banesës dhe automjetit.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugalliu, sipas asaj që ka deklaruar ka pasuri të paluajtshme prej 155 mijë euro.
Sa i përket parave të gatshme, ai ka deklaruar se ka të kursyera 4 mijë e 570 euro.
Llugaliu thotë se të hyrat vjetore nga paga janë 11,590 euro, ndërsa detyrime financiare ka rreth 8 mijë e 800 euro në emër të blerje të banesës dhe kartelës kredituese.
Ilir Murtezaj si drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës thotë se ka pasuri të paluajtshme mbi 320 mijë euro.
Ai në formular tregon se posedon dy vetura në vlerë të përgjithshme prej 38,900 euro, e cila njëra është në emër të bashkëshortes.
Murtezaj thotë se ka mbi 21 mijë euro detyrime për blerje të banesës, ndërsa të kursyera ka 2,100 euro.
I pari i ATK-së, ka deklaruar se ka letra me vlerë në Winer Stadtiche në vlerë prej 9,600 euro.
Të hyrat vjetor nga pagat, ai ka deklaruar 18 mijë e 343 euro. /Telegrafi/