Turistët britanikë që qëndronin në një hotel me katër yje në resortin spanjoll Benidorm, filmuan një pastruese duke ua vjedhur gjësendet fshehurazi teksa ata nuk ishin në dhomën e tyre.
Daily Mail raporton se Alastair dhe Sue Conner kanë paguar rreth 6,400 euro për një paketë gjithëpërfshirëse në resortin “Magic Natura”, ku kanë udhëtuar me djalin e tyre 15-vjeçar Jack, transmeton Telegrafi.
Tashmë në fillim të pushimeve të tyre gjërat filluan të zhdukeshin, ndaj kjo familje nga Stockton vendosi të bënte diçka dhe vendosi kamera të fshehta në dhomë për të zgjidhur këtë mister.
Para se të dilnin nga dhoma, ata fotografuan gjërat ashtu si i kishin lënë, kurse Alastair e la laptopin të ndezur në mënyrë që kamera në të të mund të regjistronte atë që po ndodhte.
Kur u kthyen dhe shikuan pamjet, nuk mund ta besonin atë që po shihnin.
Kamera regjistroi pastruesen duke ‘gërmuar’ nëpër xhepat e tyre dhe duke vendosur parfume dhe pako cigaresh në sytjena.
Familja britanike pretendon se gjatë qëndrimit në atë hotel janë dëmtuar për 750 euro, përfshirë 385 euro para të gatshme, parfum me vlerë 100 euro dhe 260 cigare.
Agjencia turistike “Jet2”, e cila ka organizuar qëndrimin e tyre në Benidorm, u ka ofruar dëmshpërblimin e dëmit prej 750 eurosh, por ata e kanë refuzuar dhe kërkojnë kthimin e të gjitha parave të dhëna për aranzhimin e paketës. /Telegrafi/