Site icon Telegrafi

Pastrohet Liqeni i Badovcit

Një numër qytetarësh iu bashkuan grupit për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit, ku në mënyrë vullnetare zhvilluan aksionin për pastrimin e liqenit.

Përveç pastrimit, qëllim i këtij aksioni ishte edhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e ambientit dhe mos hedhjen e mbeturinave rreth liqenit të Badovcit, liqen ky i cili furnizon banorët e Prishtinës me ujë të pijshëm.

Nga grupi i vullnetareve, Milot Kurshumlia tha se aksioni për pastrimin e liqenit të Badovcit është organizuar nga vullnetarë, të cilët po shfrytëzojnë rënien e nivelit të uji në mënyrë që ta pastrojnë në thellësi liqenin.

“Sot është një aksion vullnetar, jemi mbledh këtu vullnetarë të cilët kanë fillu me iu përgjigj aksionit për pastrimin e liqenit të Badovcit. Liqeni po e shihni është në gjendje të mjerueshme sa i përket nivelit të ujit, uji ka ra dukshëm. Sot tentojmë me shfrytëzu rastin edhe këtë ramje të nivelit të ujit për me e bo një pastrim më të thellë në pjesën e brendshme të liqenit. Qëllimi është me i pastru të gjitha brigjet e Badovcit duke pas parasysh që brigjet e Badovcit tash më janë të shkelshme… Ftesë kemi ba në grupin për mbrojtjen e liqenit të Badovcit.  Iu kanë përgjigjur ftesës shumë qytetarë, shumë grupe, presim edhe shumë grupe me u bashkëngjitë, jemi njerëz të vullnetit të mirë, të natyrës”, tha Kurshumlia

Kurshumlia tha se pastrimi i liqenit nuk është organizuar si shenjë pakënaqësie rreth ndërtimeve që priten të fillojnë afër Liqenit të Badovcit, por për një ambient të pastër.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë këtë liqen.

Kryeshefi ekzekutiv i K.R.U Prishtina, Ilir Avdullahu, tha se kompania e Ujësjellësit ka përkrahur këtë iniciativë të qytetarëve dhe iu është bashkangjitur. Sipas tij, në të ardhmen disa segmente të Badovcit duhet të rrethohen në mënyrë që liqeni të mos ketë telashe çdo vit me mbeturinat.

“Qëllimi i këtij aksioni është që të pastrojmë liqenin e Badovcit, kur niveli nga kuota e kapërderdhjës ka kaluar mbi 10 metra, edhe është fat i mirë që po pastrohet sot. I falënderojmë qytetarët që është iniciativë e tyre. Çdo iniciativë e tyre që shkon në drejtim të ruajtjes së ambientit, të ujërave, liqeneve, lumejve duhet të përkrahet nga të gjithë ne. Edhe ne si kompani kemi dal që ta mbështesim këtë aksion, ta pastrojmë edhe në të ardhëm të marrim masa shtesë që po mendojmë në disa segmente ta rrethojmë liqenin edhe liqeni të mos ketë telashe çdo vit, grumbullim të mbeturinave, ku njerëzit e pa ndergjëshëm i hedhin ato mbeturina dhe krijojnë këtë gjendje që sot e kemi”, tha Avdullahu.

Nga grupi “mbrojtja e liqenit të Badovcit”, Baton Begolli, tha se ky aksion ka qenë i qytetarëve e pastaj iu është bashkangjitur edhe grupi për mbrojtjen e Badovcit. Ai tha se këto aksione organizohen me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve për ruajtjen e liqenit.

“Ky është aksion i disa qytetarëve, të cilët kanë marrë vetiniciativë për pastrimin e Liqenit të Badovcit, ne si grup tjetër që kemi pas për qëllim mbrojtjen e Badovcit iu kemi përgjigj ftesës së qytetarëve. Ju po e vëreni, ne jemi tash t’u shkel mbi liqen, po e vëreni që jemi në një periudhë thatësie, po e vëreni që nuk kemi aq ujë, e qet ujë që e kemi po dojna me e rreziku… Qëllimi i këtij aksioni është ngritja e vetëdijes qytetare”, tha Begolli.

Sipas Begollit, liqeni i Badovcit nga i cili furnizohen një pjesë e banorëve me ujë të pijshëm, nuk duhet të ketë ndërtime afër.

Aksionit për pastrimin e liqenit të Badovcit iu bashkëngjit edhe qytetari, Miftar jashari, sipas të cilit liqeni i Badovcit duhet të ruhet dhe të pastrohet çdoherë.

“Nuk është hera e parë që jam në liqenin e Badovcit, unë kom peshku qindra herë edhe zakonisht kom marrë pjesë në shumicën e organizimeve që janë ba prej njerëzve… Qëllimi im personal është të mos shoh bërllok”, tha Jashari.

Ndryshe, reshjet e pakta të shiut dhe temperaturat e larta, kanë bërë që niveli i ujit në liqenin e Badovcit të bjerë nën nivelin mesatar./Telegrafi/

Exit mobile version