Site icon Telegrafi

Pasojat rrëqethëse të sulmit në spitalin e Gazës, ministria e Shëndetësisë mban konferencë nga objekti i goditur – raporton pranë kufomave të civilëve

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka mbajtur një konferencë për shtyp gjatë mbrëmjes së kaluar, për të folur për 500 të vrarët në spitalin që u bombardua në Gazë.

“Pushtuesit izraelitë kanë goditur direkt spitalin, gjë që çoi deri në 500 të vrarë dhe mbi 900 të lënduar. Bombardimet janë dokumentuar me fotografi dhe video”, u tha nga kjo ministri, transmeton Telegrafi.

Përfaqësuesit e ministrisë së Shëndetësisë i janë drejtuar mediave direkt nga spitali, ku qëndruan mes kufomave të burrave, grave e fëmijëve. Videoja nuk është publikuar për shkak të pamjeve tejet të rënda.

Mediat arabe dhe kanalet palestineze në Telegram, më herët kanë njoftuar se janë mbi 1 mijë të vdekur dhe të plagosur.

Lexo po ashtu Netanyahu: Do të vazhdojmë të kërkojmë nga civilët që të zhvendosen në rajone më të sigurta

Shumica e viktimave të këtij sulmi ishin civilë që ishin larguar nga shtëpitë e tyre, dhe kishin arritur në këtë vend duke menduar se është një vend i sigurt.

Sipas zyrtarëve të ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, spitali konsiderohet si vend i sigurt sipas ligjeve ndërkombëtare.

“Brenda një minute janë vrarë të gjithë në spital. Numri i të vdekurve është mbi 500, kurse besohet se mund të shkojë deri në 1 mijë. Është masakër”, tha për Al Jazeera, mjeku nga Gaza, Ziad Shehadah.

Në pamjet e publikuara nga mediat e atjeshme, shihen trupat e pajetë në të gjitha anët, të plagosur dhe autoambulanca të përfshira nga zjarri. /Telegrafi/

Exit mobile version