Site icon Telegrafi

Kriza në Ukrainë, Demiraj: Rreziqet në Ballkan të vogla, Rusia po kërkon një strategji për të dal nga situata

Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Dritan Demiraj tha për Telegrafin se pas zhvillimeve të fundit në konfliktin Rusi-Ukrainë, rreziqet në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë zvogëluar.

Sipas Demirajt, rreziqet janë ulur sepse Rusia sot nuk dikton dot kushte dhe është duke kërkuar një strategji për të dal nga situata ose ndryshe një “Exit Strategy”.

“Në rast se do të flisnim tre jave e gjysmë para për rrezikun në Ballkan, konteksti i bisedës dhe analizës do të ishte krejtësisht i ndryshëm me bisedën që po bëjmë sot”, ka shtuar Demiraj.

“Sot shohim që Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nëpërmjet Ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov po përpiqet të gjejë një “Exit Strategy” për të dalë nga ky telash i madh, nga ky makth në të cilin është futur”, ka theksuar Demiraj.

Lexo po ashtu Ekskluzive, ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj: Shqipëria duhet të mbështes anëtarësimin e Kosovës në NATO

Në anën tjetër, Demiraj ka lënë të kuptohet se rreziqet në rajon ngelen “adekuate dhe të rëndësishme,” duke shtuar se qeveritë e rajonit duket të jenë të vëmendshme.

“Tashmë bashkëpunimi ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të rritet edhe më shumë për shkak edhe të qasjes agresive që ka pasur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic i cili këtë qasje e ka paraqitur në çdo moment që ka qenë e mundur, duke kërcënuar vazhdimisht në veri të Kosovës, duke nxitur grupe ekstremiste, duke i financuar ato, madje duke i drejtuar për të destabilizuar situatën në veri të Kosovës”, ka thënë Demiraj. /Telegrafi/

Exit mobile version