Pesëmbëdhjetë muaj prej ngritjes se aktakuzës kundër 13 asistentëve dhe studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, për skandalin e shitblerjes së notave, janë mbajtur vetëm dy seanca.
Arsyet e mosmbajtjes së seancave kryesisht lidhen me mospjesëmarrjen e të gjithë të akuzuarve në gjykim. Në disa raste seancat janë shtyrë edhe për shkak të mospjesëmarrjes së trupit gjykues, shkruan sot Koha Ditore.
Zvarritja e këtij procesi mund t’i ndihmojë të akuzuarit që të lirohen nga disa pika të aktakuzës, meqë disa nga veprat penale për të cilën dyshohen këta persona e kanë arritur kohën e parashkrimit. Si pasojë e këtyre mosveprimeve, gjykatat nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim juridik për të ndjekur penalisht të dyshuarit për veprat të cilat tashmë janë vjetruar.
Grupi i përbërë nga 13 persona, disa nga ta asistentë në Fakultetin e Mjekësisë, po përballet me akuza për marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit, keqpërdorim i detyrës zyrtare.