Telegrafi

I pasionuar pas sporteve ekstreme, Anuar Neziraj piloti nëntë vjeçar që fluturon i vetëm me parashutë

Dëshira e madhe që të fluturojë me parashutë, bëri që në moshën shtatë vjeçare të fillojë mësimet e aeronautikës.

Mosha nuk e pengoi aspak Anuar Nezirajn nga Ferizaj tashmë nëntë vjeçar,  që të heq dorë nga ky sport.

Anuari për Telegrafin tha se i pëlqen shumë fluturimi me parashutë dhe se është shumë i lumtur që tani ka edhe velën e tij.

“Unë jam Anuar Neziraj, tash i kam nëntë vjet. Jam në klasën e katërt dhe shkoj në shkollën “Hivzi Jashraj”, në Ferizaj. Unë jam një pilot i parashutës dhe e kam qef këtë sport. E kam parë babin tim duke fluturuar dhe shumë instruktorë dhe pilotë të tjerë dhe kam dashur ta provoj vetë në mënyrën time. Tash unë e kam edhe velën time dhe jam gati për tu nisur”, u shpreh i lumtur Anuari.

Anuar Neziraj duke treguar pasionin e tij për parashutizmin, në një intervistë për Telegrafin

Në anën tjetër babai i tij Florim Neziraj i cili njëherësh është edhe pilot i Federatës Aeronautike të Kosovës, tha se biri i tij si i pasionuar pas sporteve ekstreme, ka qenë i interesuar të mësoj edhe fluturimin me parashutë.

“Anuari është frymëzuar nga ne që të fluturojë dhe gradualisht është mësuar vetë. Është i pasionuar për sportet ekstreme ”, tha ai.

Anuar Neziraj duke fluturuar vetë me parashutë

Neziraj për Telegrafin tha se Anuari mësimet e para për parashutën i ka filluar në moshën shtatë vjeçare.

Tutje ai shtoi se si prind kishte frikë në fillimet e Anuarit sepse mund të ketë pasoja fluturimi me parashutë nëse bëhen gabime qofshin edhe nga më të voglat ato.

“Në moshën shtatë vjeçare ka filluar të fluturojë me parashutë. Nuk është e lehtë për një prind që të lejojë fëmijën e vetë që të merret me kësi lloj profesionesh sepse një gabim shumë i vogël mund të pësoj. Mirëpo unë besoj në aftësisë dhe shkathtësitë e Anuarit. Kur e ka bërë fluturimin e parë kam pasur shumë stres”, u shpreh Neziraj.

Anuar Neziraj duke u përgatitur që të ngjitet me parashutë

Për fund ai nuk la pa komentuar edhe ngjitjen dhe uljen me parashutë të Anuarit që e demonstroi për Telegrafin, në majën e Goleshit, të cilën e cilësoi si shumë profesionale.

“Ka bërë një nisje profesionale sepse erën sot e kishim në zero mirëpo vrapi i tij i ndihmoi që të mos ndalet dhe u ngjit dhe ateroi shumë mirë”, përfundoi ai./Telegrafi/