Gruaja e liderit të vrarë të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, ka zbuluar “informacione për punën e brendshme” të grupit xhihadist pasi ishte kapur gjatë vitit të kaluar, ka njoftuar një zyrtar i qeverisë turke.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se gruaja e liderit të vrarë ka identifikuar veten si Rania Mahmud, por në fakt ajo është Asma Favzi Mohammad Al Kubasi, transmeton Telegrafi.
Ajo u tha autoriteteve turke se është “gruaja e parë” e Baghdadit, që është vrarë gjatë një sulmi të planifikuar mirë nga ushtria amerikane.
Siç raporton AP, Baghdadi kishte katër gra, kurse mediat raportojnë se gruaja e tij ishte arrestuar më 2 qershor të vitit të kaluar në provincën turke Hata në afërsi të kufirit me Sirinë, së bashku me 10 persona tjerë, përfshirë të bijën e Baghdadit që është identifikuar si Leila Jaber.
Megjithatë lidhja familjare e tyre është konfirmuar falë mostrës së ADN-së, që kishin arritur ta sigurojnë autoritetet irakiane.
“Kemi zbuluar identitetin e saj të vërtetë dhe atë shumë shpejtë. Në atë moment ajo vullnetarisht pranoi të japë informacione për Baghdadin dhe sistemin që funksionon brenda ISIS-it. Kemi konfirmuar shumë gjëra që tashmë i kemi ditur. Gjithashtu kemi marrë informacione të reja që kanë quar në arrestimin e disa personave”, ka shtuar ky zyrtar.
Gjatë një interviste dhënë për CBS News, ky zyrtar i lartë turk ka thënë se të arrestuarit po mbahen në qendrën e deportimit në Turqi. Në anën tjetër presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar të enjten për herë të parë që Al Kubasi është arrestuar.
“Kemi zënë gruan e tij – këtë e kam thënë sot për herë të parë – por nuk kemi dashur t’i japim shumë pompozitet kësaj çështje”, ka shtuar Erdogan, duke pranuar se kanë arrestuar edhe motrën dhe dhëndrin e Baghdadit.
Dy ditë më parë në një aksion për bastisje nga forcat turke të sigurisë në veriperëndim të Sirisë është arrestuar motra e madhe e liderit të vrarë të ISIS-it, kurse zyrtarët besojnë se ajo mund të ofroj informacione shumë të rëndësishme për këtë organizatë terroriste. Mediat raportojnë se pak dihet për motrën e Baghdadit e njohur si Rasmie Avad, 65-vjeçe. /Telegrafi/