Site icon Telegrafi

Specialja ia refuzoi kërkesën Thaçit për të vizituar babanë e shtrirë në spital, reagon OVL e UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pasi Gjykata Speciale ia ka refuzuar kërkesën ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për ta vizituar babanë e tij, Haxhi Thaçi i cili ndodhet i shtrirë në spital.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, OVL e UÇK-së kanë shkruar se ndihen të prekur me veprimet e Gjykatës Speciale, e cila siç thonë që nga fillimi e deri tash ka qenë e njëanshme dhe dukshëm kundër pjesëtarëve të UÇK-së,

“Sot është bërë e ditur se babai i ish kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi është i shtrirë në spital dhe gjendja e tij shëndetësore nuk është aspak e mirë. Gjithashtu u konfirmuar nga avokatët mbrojtës se kërkesa e tyre për lirimin e Thaçi për vizitë të babait në spital i qenka refuzuar nga kjo gjykatë e politizuar dhe shkelësja më e madhe e të drejtave të njeriut në këtë shekull.

Ne Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – OVL-UÇK, reagojmë dhe ndihemi thellësisht e shpirtërisht të prekur me veprimet e ‘Gjykatës Speciale’, e cila që nga fillimi e deri tash ka qenë e njëanshme dhe dukshëm kundër pjesëtarëve të UÇK-së, duke i shkelur të drejtat elementare të njeriut, të garantuara me ligje ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

Lexo po ashtu Babai i Hashim Thaçit përsëri në spital, avokati Misetic: Specialja ia ka refuzuar kërkesën për vizitë

Gjithashtu përmes këtij reagimi, OVL e UÇK-së kërkon nga instancat më të larta ndërkombëtare të drejtësisë që të ndërmarrin hapa ligjor për t’ia ndërprerë veprimet e kësaj gjykate që sipas tyre shkelin të drejtat e njeriut.

“Njëherësh babait të Thaçit i urojmë shërim sa më të shpejt, forcë e durim, sepse e vërteta do të triumfoi mbi të pavërtetën, realiteti dhe e drejta do ta rrënoj gënjeshtrën…”, thuhet në reagim.

Ndryshe, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Luka Misetic, njoftoi se Gjykata Speciale i ka refuzuar kërkesën për ta vizituar babanë e tij, Haxhi Thaçi, i cili ndodhet në Spitalin Amerikan në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version