Telegrafi

Pasi siguruan transferimin e Olise, Bayerni nis bisedimet për transferimin e yllit të Interit

Bayern Munich raportohet se është në bisedime për të nënshkruar me mesfushorin turk Hakan Calhanoglu nga Interi.

Gjiganti gjerman nuk ka humbur kohë për të përforcuar ekipin për sezonin e ardhshëm pasi në edicionin që lamë pas ata mbetën pa asnjë trofe të fituar.

Sipas raportimeve të fundit ata kanë siguruar transferimin e Michael Olise nga Crystal Palace dhe tani po synojnë që ta transferojnë edhe Calhanoglun nga Interi, sipas Bild.

Duke marrë parasysh paraqitjet fantastike të turkut me Interin, nuk është befasi fakti që Bayerni po synon rikthimin e tij në Gjermani, shteti ku ai u lind dhe nisi karrierën e tij profesionale.

Spekulimet u rritën edhe më shumë kur gazetari turk i TRT Sports, Ibrahim Kirkayak i cili ishtë së bashku me Turqinë teksa po përgatiteshin për ndeshjen ndaj Portugalisë, e pyeti Calhanoglun direkt për këto thashetheme.

Lexo po ashtu Bayern Munich në bisedime të avancuara me PSG-në për transferimin e Xavi Simons

Sipas asaj që tha Kirkayak, mesfushori konfirmoi se me të vërtetë ka pasur bisedime të vazhdueshme me Bayern Munichun dhe se ai ka shprehur interesimin e tij për një transferim të mundshëm.

Për më shumë, sipas FCInterNews.it, oferta nga Bayerni përfshin një kontratë prej tetë milionë eurosh në sezon, plus bonuset.

Për shkak të kontributit të tij të jashtëzakonshëm gjatë sezoneve të fundit, Interi mund të fitojë një shumë të majme parash nga shitja e tij.

Çmimi për të cilin po mendohet se mund të realizohet transferimi sillet mes 50-60 milionë eurosh, dhe kjo është diçka pozitive për “Nerazzurrët” duke marrë parasysh faktin se e transferuan si lojtar të lirë nga Milani në 2021./Telegrafi/