Telegrafi

Pasi që nuk iu dha fjala për diskutim, Haxhiu dhe Sherifi lëshojnë seancën

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën me pikat e mbetura.

Tek shqyrtimi i parë të projektligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, ka pasur diskutim ku deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Bilall Sherifi nga Nisma Socialdemokrate e kanë lëshuar sallën ku po mbahen seanca plenare. Ky reagim erdhi pasi që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti nuk ua dha fjalën.

Ai madje i tha deputetit të Nismës, Bilall Sherifi, se nuk mund t’ia jap fjalën pas çdo diskutimi.

“Jo nuk ka replikë e ka kryer ministri, zotëri ministër e ke fjalën, por nuk ka pas ministrit, jo nuk ka, nuk ka hiq, rregullore është…Kush do me fol t’i do me bë replikë a, ose a ta ka përmendur kush emrin, rri bre burrë“, tha Haliti.

Sherifi i tha nënkryetari të Kuvendit, se rregulloren e interpretojnë ndryshe ai e ndryshe kryetari i Kuvendit.

“Çdo deputet ka të drejtë përpos emrit edhe kur t’i referohet kësaj apo atij, ka të drejtë replike”, u shpreh ai.

Në anën tjetër edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu tha se me rregullore të Kuvendit ka të drejtë të bëjë replikë.

“Po me rregullore të Kuvendit është “, tha Haxhiu.

Gjithë ky debat erdhi pas shqyrtimit të parë të projektligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, ku u kërkuar që përveç përfshirjes së ditëve të pushimit, të dënuarve që qëndrojnë në burgje t’u lejohet edhe pakoja ushqimore./kp/