Telegrafi

Pasi e përmendi Kurti, reagon Veliu: Nuk kishe guxim për aksione në veri, tash po bën budallaki atje

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit e përmendi në seancën e së enjtes në Kuvend.

Kurti përqeshi ish-ministrat e LDK-së kur qeverisën së bashku në Qeverinë Kurti I, duke thënë se “mendimet e tyre ua dirigjon karriga”, raporton Telegrafi.

“E kam pasur edhe ministrin e brendshëm nga radhët e LDK-së, për një periudhë të shkurtër dhe nuk kanë pasur këso idesh. Këtyre idetë ua dirigjon karriga. Pra, bëhet fjalë për deputetë e ish-ministra që mendimet ua dirigjon karrikaga e jo bindjet që i kanë, ose më mirë të them s’i kanë”, ka thënë kryeministri, teksa po lavdëronte ministrat e Qeverisë Kurti II, Besnik Bislimi e Hekuran Murati.

E një reagimin e tij Veliu ka thënë se kur ka qenë ministër i Punëve të Brendshme i ka ofruar Kurtit që të ndërmarrin aksione në veri të vendit, por se sipas tij, ai nuk ka pasur guxim.

“Kryeministri iu referua Qeverisë Hoti në të cilën unë isha ministër, por sigurisht harroi me përmend që unë kam qenë ministër edhe në Qeverinë Kurti dhe ky e din shumë mirë që mua mendja nuk më ka shkuar të bëjë budallakina të tilla sikur ky që po bën në veri. Kam punuar për integrim të veriut”.

“Ky shumë mirë e din që unë i kam ofruar të ndërmarrim aksione të ndryshme në veri, por nuk ka pasur guxim. Edhe atëherë i kam thënë që është mashtrues dhe s’ka guxim. Edhe tani i them të njëjtat fjalë”, është shprehur deputeti i LDK-së./Telegrafi/