Telegrafi

Pasi e ndali Haalandin, Rudiger kërcënon edhe Mbappen: Nëse më kalon në finale, do ta thyej atë 

Antonio Rudiger ka qenë fantastik për Real Madridin në dy ndeshjet çerekfinale ndaj Manchester Cityt, duke e ndalur rrezikun kryesor Erling Haaland të tregoj cilësitë e tij.

Mbrojtësi gjerman ishte i pakalueshëm nga Haaland, derisa ishte një nga lojtarët më meritorë që Real Madridi kaloi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Los Blancos do të përballen me Bayern Munichun në gjysmëfinale, derisa Rudiger ka kërcënuar edhe Kylian Mbappen nëse do të përballen në finalen e garës më të madhe evropiane për klube Ligën e Kampionëve.

Lexo po ashtu Haaland dhe dy sulmues të tjerë kanë dështuar në testin e Rudiger në Champions - a do të jetë Kane i radhës?

“Nëse luajmë me Mbappen në finalen e Ligës së Kampionëve, do ta mposhtim atë. Nëse Mbappe më driblon, do ta thyej”, tha Rudiger duke qeshur.

Rudigerit iu bënë shumë pyetje rreth Mbappes gjatë intervistës së tij, duke përfshirë nëse ai mendon se nënshkrimi i francezit nga Real Madrid do të ishte një ide e mirë.

“Kush tha se ai do të vijë? Nuk është zyrtare. Por lojtarët më të mirë në histori kanë luajtur për Real Madridin. Do të ishte një ndeshje e mirë nëse përballemi në finale”, deklaroi gjermani.

Lexo po ashtu Veprim i pakuptueshëm nga Rudiger ndaj policit në tunelin e Santiago Bernabeut

Ekziston një mundësi serioze që Real Madrid të përballet me PSG-në në finalen e Ligës së Kampionëve këtë sezon nëse të dyja skuadrat fitojnë gjysmëfinalen e tyre.

Los Blancos do të përballen në dy ndeshje gjysmëfinale me Bayern Munich, ndërsa nga ana tjetër PSG do të ketë punë në gjysmëfinale me Borussia Dortmundin. /Telegrafi/