Telegrafi

Pasi e mbylli për festa, Komuna nis punimet në rrugën “Xhorxh Bush” në Prishtinë

Rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë do të jetë e mbyllur deri më 8 janar 2023, për shkak të festave të fundvitit. Komuna ka njoftuar ditë më parë se rruga do të jetë e mbyllur për qarkullim nga udhëkryqi i “Bill Klinton” deri në udhëkryqin e rrugës “Garibaldi”.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se në këtë periudhë kohore edhe rrjedha e qarkullimit të autobusëve do të ndryshojë.

Por në këtë pjesë të sheshit, mëngjesin e së martës janë parë duke u kryer disa punime, për të cilat Telegrafi ka dërguar pyetje në adresë të komunës dhe është në pritje të përgjigjeve.

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, në një intervistë dhënë më 3 nëntor në emisionin “Përballje” në Telegrafi, pati deklaruar se faza testuese e shndërrimit të unazës së brendshme të kryeqytetit në qarkullim njëkahor ka përfunduar.

Zogaj pati bërë të ditur se janë në pritje të konkluzioneve nga ekipi i ekspertëve të komunikacionit rrugor, të cilët kanë qenë në monitorim të situatës.

“Ekipet janë duke përgatitur planet për t’i prezantuar kam përshtypjen gjatë kësaj jave para kryetarit Rama, në mënyrë që në javët e ardhshme ta marrim vendimin final”, ishte shprehur Zogaj.

Ndryshe, me vënien në funksion të qarkullimit njëkahor, rruga “Xhorxh Bush” e cila aktualisht është mbyllur për siç thonë festat e fundvitit do të jetë e mbyllur në të ardhmen për qarkullim me vetura. /Telegrafi/

Rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë, 29 nëntor 2022 // Foto: Ridvan Slivova
Rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë, 29 nëntor 2022 // Foto: Ridvan Slivova
Rruga “Xhorxh Bush” në Prishtinë, 29 nëntor 2022 // Foto: Ridvan Slivova