Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka lëshuar seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës “për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”.
E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se të gjithë deputetët që lëshuan sallën janë “hajna”.
“Më vjen keq, por të gjithë ata që sot këtu nuk janë prezent janë hajna. Këtë fjalë nuk e kam përdorur derisa ju LVV-ja keni ardhur në pushtet. Po na detyroni që të shprehemi me një gjuhë të tillë edhe pse ju e keni bërë këtë gjë 15 vjet sa keni qenë në opozitë.
Po të mos ishin të tillë, ata do të ishin prezent”, u shpreh Bajrami, derisa iu kërkoi falje dy deputetëve të LVV-së, Visar Korenicës dhe Eman Rrahmanit të cilët qëndruan në sallë për të diskutuar për kontratat njëburimore.
Më pas sallën e lëshoi edhe kryesuesja e kësaj seancë të jashtëzakonshme, njëherit deputete e LVV-së, Saranda Bogujevci.
Ajo tha se “derisa unë i përkas grupit të cilit qenkemi hajna, më vjen keq por nuk mund të jem pjesë e këtij debati me fjalë ofenduese”.
“Lus nënkryetarin Kujtim Shala që nëse ka vullnetin të vazhdojë me seancën”, u shpreh Bogujevci. /Telegrafi/