Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka paralajmëruar se sot pasdite dhe nesër, priten reshje shiu me intensitet të lartë, erëra të forta dhe shkarkime rrufesh, si dhe një ulje e ndjeshme e temperaturave.
Për këtë, Komuna e Prishtinës përmes një njoftimi i bënë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar.
“Duke pasur parasysh këto kushte, Kryeqyteti ju bën thirrje të nderuar qytetarë që të tregoni kujdes të shtuar. Shmangni lëvizjet e panevojshme gjatë periudhave me mot të keq. Siguroni objektet e brishta apo të rrezikshme në oborret dhe ballkonet tuaja. Respektoni udhëzimet e autoriteteve për sigurinë dhe shëndetin tuaj”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se ekipet emergjente do të jenë në tërren për sigurinë e qytetarëve.
“Gjithashtu, ekipet e emergjencave të Kryeqytetit dhe zjarrfikësit janë në terren për të siguruar ndihmë të menjëhershme në rast nevoje”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/