Dy gra raportohet se u larguan nga një aeroplan në Aeroportin Heathrow pasi shpërtheu një sherr për një kapelë me mbishkrimin “Make America Great Again” (MAGA).
Dy pasagjere amerikane filluan të debatojnë kur njëra i kërkoi tjetrës të heqë kapelën e kuqe – të mbajtur nga përkrahësit e Donald Trumpit – ndërsa prisnin për të hipur në fluturimin e British Airways.
Gruaja që mbante kapelën refuzoi, e cila gjë shkaktoi rrahjen me grushte, pas së cilës ato u shoqëruan jashtë aeroplanit.
Rrahja bëri që me dy orë vonesë të realizohet fluturimi me destinacion Teksasin, shkruan skynews.
“Ne u kërkuam ndjesë klientëve tanë për vonesën dhe i nisëm sa më shpejt të ishte e mundur”, deklaroi kompania britanike.
Ndryshe, kapelat MAGA janë mbajtur nga përkrahësit e republikanit që kur ai e adoptoi këtë slogan gjatë fushatës së parë për president, të cilën e fitoi në vitin 2016.
Me zgjedhjet që do të mbahen më 5 nëntor (e martë), tensionet janë të larta midis përkrahësve të kandidatit republikan për president dhe rivales demokrate, zëvendëspresidentes Kamala Harris. /Telegrafi/