Telegrafi

Pas zënkave të përsëritura me trajnerin, Reali nis përgatitjen e ofertës marramendëse për Mbappe

Kylian Mbappe, Zinedine Zidane, Thomas Tuchel (Foto: Getty Images/Guliver)

Real Madridi është duke përgatitur një ofertë në vlerë prej 300 milionë eurosh për yllin e pakënaqur të Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe.

Mundo Deportivo raporton se sulmuesi francez është duke e menduar largimin nga kampioni i Ligue 1 pas mosmarrëveshjeve me trajnerin Thomas Tuchel.

Lexo po ashtu Mbappe kundërshton përsëri Tuchelin, francezi shpreh shumë zhgënjim pas zëvendësimit

Dhe për t’i nxitur akoma më shumë spekulimet është fakti se Mbappe e ka pëlqyer në Instagram një publikim nga Karim Benzema, i cili e festonte fitoren e Realit ndaj Atletico Madridit.

Kylian Mbappe (Foto: David Ramos/Getty Images/Guliver)

Kështu që e gjithë vëmendja do të jetë në Parc des Princes kur të hapet afati i ardhshëm kalimtar, ndërsa  Zinedine Zidane më në fund mund ta angazhojë një lojtar të rangut që e ka kërkuar qe një kohë të gjatë.

Mbappe shënoi gol në minutën e 57-të në fitoren e PSG ndaj Montpellier (5-0) të shtunën, mirëpo vetëm dhjetë minuta më pas, Tuchel e zëvendësoi duke nxitur mosmarrëveshje mes tyre. /Telegrafi/