Site icon Telegrafi

Pas votimit nga LIBE, këto janë edhe dy votimet e rëndësishme për heqjen e vizave

Komiteti për Liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE), i cili funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian, ka votuar sot pro heqjes së vizave për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Pas këtij votimi, Kosovës i mbesin të kalojë edhe dy votime të rëndësishme atë të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave, për të përfituar tërësisht heqjen e vizave.

Ekspertja e Integrimeve Evropiane, Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë për Telegrafin se për të përfituar lëvizje të lirë, Kosova do të ketë edhe dy votime.

“Janë edhe dy votime të rëndësishme: do të ketë votim në seancën plenare në Parlamentin Evropian, në të cilin do të vendoset me shumicë për futjen e Kosovës në zonën e lirë të qarkullimit, dhe do të ketë votim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në të cilën duhet të sigurohet shumica e kualifikuar e votave të shteteve anëtare”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

Lexo po ashtu Komisioni LIBE votoi pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Në anën tjetër, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se pas vendimmarrjes pozitive në Komisionin parlamentar për të drejta civile (LIBE), nevojitet edhe vota pozitive nga Parlamenti Evropian si tërësi dhe nga Këshilli për t’u miratuar vendimi për heqjen e vizave për Kosovën.

“LIBE sot dha dritën e gjelbër për arritjen e një marrëveshjeje ndër-institucionale mes Parlamentit dhe Këshillit, të cilat bashkërisht duhet ta votojnë tekstin e harmonizuar nga Komisioni Evropian. Me gjasë votimi nga Parlamenti dhe Këshilli do të ndodhë gjatë vjeshtës, kurse hyrja në fuqi e këtij vendimi disa muaj më vonë”, ka thënë Murati.

Ai ka shtuar se sipas të gjitha gjasave, me skenarët më të mirë, Kosova mund të marrë liberalizimin në pranverën e vonë të vitit të ardhshëm.

Me 30 vota pro, 10 kundër dhe 2 abstenime, Komisioni LIBE ka miratuar raportin e Komisionit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kujtojmë se në pjesën e fundit të muajit korrik, Kosova mori rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian në lidhje me lëvizjen e lirë të qytetarëve në Zonën Schengen, ndërsa votimi në LIBE i hapë rrugë votimeve në instancat tjera të BE-së./Telegrafi/

Exit mobile version