Site icon Telegrafi

Videoadresimi i LVV-së, Pacolli: Turp për ju, drejtoni vendin si duhet ose largohuni!

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, po ndjehet i fyer nga video adresimi i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes të cilit partia në pushtet ka kritikuar partitë që dikur ishin në pushtet dhe liderët e tyre.

Pacolli, përmes një postimi në Facebook, e ka cilësuar skandaloze videon e LVV-së në të cilën ai është cilësuar si shkatërruesi i Kosovës.

“Unë shpresova dhe besova se ju do të punoni për Kosovën dhe unë ju votova, sepse mendova se e meritoni votën time. Nuk gjej fjalë se sa poshtë mund të shkosh. Sinqerisht nuk kisha në plan të reagoja, por kjo nuk është hera e parë që luani me personalitetin tim. Drejtoni vendin si duhet ose largohuni!”, ka shkruar Pacolli, transmeton Telegrafi.

Pacolli në postimin e tij ka numëruar kontributin e tij që ka dhënë për shtetin e Kosovës.

Postimi i plotë i Pacollit:

“E shoh veten në një video skandaloze të publikuar nga partia më e madhe e Kosovës, partia që sot qeverisë Kosovën tonë. Në atë video jam quajtur shkatërruesi. Jo, zotërinj, shkatërruesit jeni ju që vetëm konsumoni paranë e taksapaguesve e në këtë rast edhe paratë e mia. Më tregoni çka keni bërë Ju për Kosovën?

– Unë kam nënshkruar pavarësinë e Kosovës, ju jo.

– Unë kam promovuar vendin në tërë botën, i kam sjellur mbi 40 njohje, e ju, asnjë …

– Unë kam krijuar ekzistencë financiare për mbi 60.000 qytetarë të Kosovës që nga koha nga kur ju ende nuk keni ekzistuar.

– Unë kam ndihmuar e ndihmoj njerëzit në nevojë të Kosovës me dhjetra miliona euro e ju vetëm i shfrytëzoni ata njerëz.

– Unë kam ndërtuar dhe dhuruar universitete, shkolla, ndërtesa e shumëçka, e ju asgjë.

– Kam rindërtuar me shije, hapësirat në ndërtesat ku ju edhe sot punoni (Parlamentin, presidencën, ministrinë e punëve të jashtme e shumëçka, e ju jo që nuk i keni ndërtuar apo mirëmbajtur, por jeni përpjekur edhe ti shkatërroni.

– Sot shëroj me dhjetëra pacientë jashtë vendit dhe i financoj me dhjetëra studentë jashtë vendit e ju asnjë.

Është turp për ju! Këto dy vite Kosova po degradohet në çdo aspekt, infrastruktura, ambienti e çdo gjë tjetër që ka nevojë për dorën e njeriut të cilën ju nuk jeni në gjendje të jepni. Deri tani vetëm keni sharë e fyer e nëse vazhdoni kështu nuk di si do të duket Kosova…

Unë shpresova dhe besova se ju do të punoni për Kosovën dhe unë ju votova, sepse mendova se e meritoni votën time. Nuk gjej fjalë se sa poshtë mund të shkosh. Sinqerisht nuk kisha në plan të reagoja, por kjo nuk është hera e parë që luani me personalitetin tim. Drejtoni vendin si duhet ose largohuni!”, ka shkruar Pacolli.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një videoadresimi në Facebook, të hënën ka kritikuar opozitën, duke thënë se janë duke u rigrupuar në mënyra tjera pasi sipas tyre “nuk duan ta shohin Kosovën mirë”.

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin”.

“Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme por praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër”, thuhet në mesazhin që përçon video e LVV-së e cila ilustrohet me disa nga figurat e opozitës së tanishme dhe figurat e qeverisjes së kaluar.

Ndaj kësaj video të LVV-së kanë reaguar ashpër edhe  subjektet e tjera opozitare.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se LVV në vend së të kërkojnë llogari në Facebook, duhet t’iu drejtohen organeve të shtetit.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se partia në pushtet (Lëvizja Vetëvendosje), i është kthyer propagandës së mashtrimit.

Lidhur me këtë çështje, ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Nga kjo parti opozitare kanë thënë se VV po shpërndan gënjeshtra apo gjysmë të vërteta, dhe të vërteta të shtrembëruara, në mënyrë që të diskreditojnë kundërshtarin. /Telegrafi/

Exit mobile version