Site icon Telegrafi

Pas vendimit të Listës Serbe për braktisjen e institucioneve në Kosovë, Vuçiq konsultohet me ambasadorin rus dhe kinez

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në ditën kur partia që kontrollohet nga ai në Kosovë, Lista Serbe vendosi që t’i braktis institucionet e Kosovës, ka takuar ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në Beograd për të biseduar me ta për gjendjen e krijuar.

Pas takimit me ambasadorin rus, Botsan – Kharchenko, Vuçiqi ka thënë se “përsërita mirënjohjen tonë për qëndrimin parimor të Federatës Ruse dhe mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”.

Ndërsa, ambasadori rus ka thënë se të gjitha informacionet që iu prezantuan do t’ia përcjell Moskës zyrtare.

Në takim me ambasadoren kineze Chen Bo, Vuçiq bëri të ditur se i ka thënë asaj që “përkundër të gjitha sfidave, Serbia vazhdon të udhëheqë një politikë të përgjegjshme paqeje dhe stabiliteti si dhe mbetet e përkushtuar në respektimin e ligjit ndërkombëtar e zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani”, transmeton Telegrafi.

Ambasadorja kineze ka theksuar se vendi i saj mbështet “kërkesat legjitime të palës serbe, të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve të saj në Kosovë dhe përpjekjet për të vendosur një marrëveshje brenda kornizës së Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (nga viti 1999 )”.

Sipas një deklaratës nga zyra e Vuçiqit, ambasadorja kineze ka theksuar se “Kina kundërshton veprimet e njëanshme që kontribuojnë në përshkallëzimin dhe rrënimin e stabilitetit” dhe shtoi se “Prishtina duhet të fillojë formimin e Asociacionit të komunave serbe sa më shpejt të jetë e mundur, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”.

Presidenti serb ka marrë pjesë në seancën e posaçme të Qeverisë së Serbisë, pas së cilës u takua me ambasadorin kinez dhe rus.

Presidenti serb është takuar sot edhe me krerët e Kishës Ortodokse Serbe.

Ndryshe, Lista serbe ka bërë sot të ditur se kanë vendosur që të largohen nga të gjitha institucionet politike në Kosovë.

Kjo është bërë e ditur pas takimit të përfaqësuesve politikë të serbëve të veriut të Kosovës në Zveçan.

Siç është thënë, përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës vendosën të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, “deri në momentin që Prishtina të tërheqë vendimet për riregjistrim të automjeteve dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”. /Telegrafi/

Exit mobile version