Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimin i cili i ndalonte tubimet, aktivitetet sportive dhe punën e pishinave, për çka edhe u hap mundësia e organizimit të dasmave nga data 1 korrik e këtij viti, por duke respektuar një udhëzues që do të publikohet ditëve në vijim.
Ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Vesel Krasniqi, në një prononcim për Telegrafin sqaroi se nesër do të dalin me një udhëzues me rekomandime për masat që duhet të merren për këto organizime.
“Nga nesër, do të bëjmë një udhëzues, edhe do të jetë publik për të gjithë. Bashkë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, në grupin punues në kuadër të kësaj ministrie ku edhe ne bëjmë pjesë do ta publikojmë këtë udhëzues dhe besoj se nga data 01.07.2020 do të filloj edhe organizimi i dasmave”, tha Krasniqi për Telegrafin.
Lidhur me këtë vendim kanë nisur edhe reagimet e para nga këngëtarët.
Këngëtari i njohur i muzikës popullore, Afrim Muqiqi, ka shkruar një status në rrjetin social Facebook, duke u shprehur i lumtur për këtë vendim.
“Miq të dashur , nga data 01.07.2020 zyrtarisht lejohen dasmat dhe ahengjet familjare, shpresojmë të kaloj kjo pandemi plotësisht dhe ti kthehemi normalitetit siç jemi mësuar te jemi të lirë. Suksese e punë te mbarë të gjithëve , na priftë e mbara”, ka shkruar Muqiqi në Facebook.
Ndërkohë, mbetet të shihet se në çfarë masash do të organizohen sivjet dasmat dhe ahengjet familjare. /Telegrafi/