Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 3 korrik 2024, të shpallet ditë zie shtetërore, në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, të ndjerit Ismail Kadare.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ndryshe, presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit.
Ndërsa, në gusht, presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/