Xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka siguruar sot medaljen e dytë të artë olimpike në histori të Kosovës.
Krasniqi, në kategorinë deri në 48 kilogramë arriti që në finale të mposht xhudisten japoneze Funa Tonaki, përcjell KosovaPress.
E pas fitores së madhe dhe sigurimit të medaljes së artë olimpike, Distria tregoi që menjëherë kishte telefonuar familjen e saj, për të ndarë së bashku këtë gëzim me ta.
“Menjëherë pas medaljes i kam telefonuar prindërit në shtëpi, për të shikuar se a janë mirë, dhe normalisht që ishin gëzuar, ishin mbledhur të gjithë dhe po ndihen shumë krenar me mua dhe kjo është ndjenja ma e mirë që me bo familjen krenare”, tha Krasniqi.
Po ashtu, Krasniqi zbuloi se çfarë i tha trajnerit Driton Kuka pas luftës në gjysmëfinale kundër mongolezes Munkhbat Urantsetseg.
“I kam thënë pse po qanë, është edhe një, edhe një luftë, kështu diçka. Sepse vetë nuk e kom ndje vetën qe kom shku në finale, ka qenë shumë e pabesueshme, por edhe e kom ditë që nuk përfundon gjithçka me atë luftë, e kam edhe një luftë dhe duhet me fitu të artën, kur shkon në finale duhet me fitu të artën”, tha Krasniqi.
Gjatë rrugëtimit të saj drejt finales së “Tokio 2020”, Distria raundin e parë e kaloi pa luftë, në të dytin siguroi fitore kundër brazilianes Gabriela Chibana, në çerekfinale e mposhti kinezen C.H. Lin, në gjysmëfinale e eliminoi mongolezen Munkhbat Urantsetseg, dhe në finale siguroi të artën në përballjen kundër japonezes Funa Tonaki. /kp/