Site icon Telegrafi

Pas transferimit te Prishtina, Vëllaznimi reagon për rastin e Tun Bardhokut: Lojtari ka kontratë valide me klubin tonë

Klubi futbollistik i Vëllaznimit ka reaguar rreth largimit të lojtarit të tyre, Tun Bardhokut në drejtim të Prishtinës.

Kjo e fundit përmes rrjeteve sociale ka njoftuar gjatë ditës së djeshme se ka transferuar mbrojtësin e ekipit gjakovar.

Kuqezinjtë kanë bërë të ditur se janë befasuar nga sjellja e zyrtarëve të ekipit kryeqytetas.

“Informata që dje u plasua në portale se futbollisti ynë Tun Bardhoku, ka kaluar tek radhët e Klubit të Futbollit “Prishtina” na ka befasuar. Kjo për faktin se futbollisti Bardhoku ka kontratë valide me Klubin tonë”.

“Është e vërtet që Tun Bardhoku ka biseduar me kryetarin e klubit Agim Cana, dhe nga i njëjti e ka marrë premtimin preliminar se nuk do të pengohet nëse i jepet rasti që të angazhohet në ndonjë klub jashtë Kosovës, gjë që e ka kërkuar edhe vetë futbollisti”.

“Jemi të befasuar edhe me sjelljen e zyrtarëve të klubit Prishtina, të cilët, edhe pse e kanë ditur që Bardhoku ka kontratë me Vëllaznimin, kanë vënë kontakt me futbollistin pa e paralajmëruar fare klubin tonë, që paraqet shkelje të dispozitave të Rregullores për Transferin dhe Regjistrimin e Lojtarëve të FFK-së”, shkruan në njoftimin e klubit gjakovar.

Lexo po ashtu Zyrtare: Prishtina transferon Tun Bardhokun

Mbrojtësi gjakovar i ka bashkuar tanimë klubit në fazën përgatitore që po e mbajnë në Banjë të Pejës.

Ndryshe, lojtari theksojmë se luan në disa pozita në mbrojtje dhe mesfushën e Vëllaznimit. /Telegrafi/

Exit mobile version