E ardhmja e Victor Osimhen mund të marrë një kthesë të papritur pasi Galatasaray janë të etur për të blerë përfundimisht kartonin e tij.
Pas një vere të mbushur me thashetheme, Osimhen u largua nga Napoli për t’iu bashkuar gjigantit turk në formë huazimi në atë që u përshkrua si lëvizje befasuese.
Osimhen ishte lidhur me një kalim të mundshëm tek Chelsea ose në Arabi tek Al Ahli, por në fund përfundoi në Turqi aty ku ka shënuar katër gola dhe ka dhuruar katër asistime në pesë ndeshje.
Galatasaray tani po shpreson që të nënshkruajnë përfundimisht me Osimhen dhe për këtë janë të gatshëm t’i ofrojnë Napolit 50 milionë euro për kartonin e tij, ka raportuar mediumi turk Sozcu.
Bisedimet për të ardhmen e Osimhen kanë vazhduar të ‘rrëmbejnë’ ballinat e gazetave këtë sezon, pasi ka zëra se ai mund të përfundojë tek Arsenali, Chelsea ose Bayern Munich.
Sulmuesi kishte thënë më parë se ‘ai vlen më shumë se 100 milionë euro’, diçka që mund të jetë një lajm i keq për Galatasaray dhe përpjekjet e tyre për të siguruar shërbimet e tij.
Napoli kishte konfirmuar se një marrëveshje për ta zgjatur kontratën e Osimhen deri në vitin 2027 është arritur, teksa klauzola e tij e lirimit raportohet se ka zbritur nga 130 milionë në vetëm 75 milionë euro.
Së fundmi, Osimhen e kishte përjashtuar mundësinë e largimit nga Galatasaray në afatin e janarit duke e bërë të qartë se do jetë pjesë e tyre të paktën deri në muajin qershor./Telegrafi/