Pas vizitës në Kosovë dhe takimet me krerët e institucioneve kosovare Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, sot po qëndrojnë në Beograd, ku janë takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenti serb e ka vlerësuar takimin si të mirë, duke thënë se së shpejti do të vazhdohet dialogu me Kosovën e se beson në mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje kompromisi.
“Bisedë e mirë me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë dhe çështjet tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe me përfaqësuesin special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Së shpejti vazhdimi i dialogut me Prishtinën dhe besoj në një mundësi për arritje të një zgjidhjeje kompromisi”, ka shkruar Vuçiq në Instagram, transmeton Telegrafi.
Edhe kryeministrja serbe Ana Brnabiq ka zhvilluar takim me Zëvendës Ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer.
Një deklaratën e Qeverisë serbe është thënë se kryeministrja Brnabiq ka deklaruar gjatë bisedës se është e nevojshme të zbatohen marrëveshjet e arritura në Bruksel, para së gjithash ajo për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
“Beogradi ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij dhe ne presim ta shohim atë nga pala tjetër, në mënyrë që dialogu të ketë kuptim. Njëra prej tyre është çështja e gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur, dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar në zgjidhjen e plotë të kësaj çështjeje”, ka thënë Brnabiq.
Sipas deklaratës, Palmer ka theksuar se Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rolin e të dërguarit special Mirosllav Lajçak në këtë proces, si dhe ka vlerësuar “fokusin e Beogradit dhe presidentit Aleksandar Vuçiq në bisedimet me Prishtinën”. /Telegrafi/