Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmit në Gjermani, ku një makinë përplasi një turmë njerëzish, teksa mediat gjermane raportuan për 11 persona të vdekur, kurse 60 deri në 80 të tjerë të lënduar.
Osmani përmes një postimi në X, ka thënë se populli i Kosovës qëndron përkrah popullit të Gjermanisë.
“Sulmi shkatërrues në Magdeburg është një kujtesë e ashpër e kërcënimeve me të cilat përballemi dhe forcës që duhet të tregojmë në kohë tragjedie. Zemrat tona dhembin për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që janë prekur”, ka shkruar e para e vendit.
“Përballë tragjedive të tilla, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të riafirmojmë humanizmin tonë të përbashkët. Populli i Kosovës qëndron përkrah popullit të Gjermanisë!”, ka shkruar Osmani, transmeton Telegrafi.
Të paktën një person është vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur të premten si pasojë e përplasjes së një makine në turmën e një tregu Krishtlindjesh në qytezën lindore gjermane, Magdeburg.
Zëdhënësi i qytezës Magdeburg, Michael Reif, që gjendet rreth 150 kilometra në jugperëndim të Berlinit, ka thënë se incidenti duket se ka qenë i qëllimshëm.
“Vlerësimi fillestar është që ka pasur sulm në tregun e Krishtlindjes”, ka thënë Reif për median gjermane MDR.
“Janë disa viktima. Brigada e zjarrit dhe policia janë në skenën dhe po trajtojnë të plagosurit”.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka thënë se raportimet sinjalizojnë se diçka e keqe ka ndodhur, dhe ka thënë se bashkëndjen me familjarët e viktimave.
Dëshmitarët kanë thënë se makina është nisur qëllimshëm drejt turmës së njerëzve. /Telegrafi/