Telegrafi

Pas sulmeve ndaj policisë në veri të Kosovës, UNMIK-u bën thirrje për shmangie të përshkallëzimit të situatës

Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, dënon ashpër sulmet kundër policisë së Kosovës që ndodhen gjatë ditëve të fundit dhe ka bërë thirrje që autorët e sulmeve të mbahen përgjegjës.

“Sundimi i ligjit është qenësor për paqen dhe sigurinë. Ne u bëjmë thirrje të gjithëve për vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo përshkallëzim të mëtejshëm”, thuhet në reagimin e saj.

Autoritetet në Kosovë më 15 prill bën të ditur se Policia e Kosovës ka qenë cak i disa sulmeve të kryera gjatë ditëve të fundit. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se Policia e Kosovës ishte sulmuar më 15 prill, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.

“Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës tha se në orët e hershme të mëngjesit të 16 prillit kanë ndodhur dy shpërthime në Sharpej të Jarinjës, ku gjendet pikëkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale./Telegrafi/