Tifozët e Chelseat dhe Wolverhampton kanë shprehur pakënaqësi të madhe në rrjetet sociale dhe disa kanë paralajmëruar protesta pasi u zbulua se dy klubet mund të luajnë në prag të Krishtlindjeve këtë sezon dhe kjo nuk ka ndodhur në Angli që nga viti 1995.
Krishtlindjet këtë vit bien të hënën, ndërsa Liga Premier tradicionalisht luhet në fundjavë para Krishtlindjeve, pastaj në “Boxing Day” më 26 dhjetor dhe në ditën e parë të vitit të ri.
Ndeshja mes Wolves dhe Chelsea ishte dashur të luhej të shtunën më 23 dhjetor, por drejtuesit e ligës duan ta kalojnë atë për një ditë më vonë për shkak të programacionit të planifikuar në mbrëmje.
Ende nuk është konfirmuar kalendari për muajin dhjetor, por mediat angleze raportojnë se ndeshja pothuajse me siguri do të luhet në prag të Krishtlindjeve.
Kjo zemëroi veçanërisht tifozët e Chelseat të cilët do të duhet të udhëtonin 200 kilometra në çdo drejtim për ta ndjekur këtë ndeshje dhe do të ktheheshin në shtëpi shumë vonë, gjë që është e papranueshme për ta.
“Ky lloj lajmi na shqetëson thellësisht. Nëse vërtet merret ky vendim, ne e konsiderojmë të papranueshëm dhe shkatërrues për ne tifozët, të cilët do të pështyhen në fytyrë. Në një kohë kur tifozët duhet të ndihmohen në çdo mënyrë për të udhëtuar në ndeshje, është e vështirë për ta në këtë mënyrë”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Tifozëve të Chelseat, Mark Meehan.
Tifozët e tjerë shprehen zemërimin e tyre në rrjetet sociale dhe disa bënë thirrje për protesta për shkak të asaj që ata thonë se është e papranueshme në raport me ta.
Vendimi nëse kjo sfidë do të luhet në prag të Krishtlindjeve duhet të shpallet deri në fund të javës./Telegrafi/