Telegrafi

Pas më shumë se 20 viteve, lirohet nga burgu një nga spiunet më të rrezikshme të Luftës së Ftohtë që u kap nga autoritetet amerikane

Pas më shumë se 20 viteve, është liruar nga burgu Ana Montes, një prej spiuneve më të rrezikshme të Luftës së Ftohte, që ishte kapur nga autoritetet e sigurisë në SHBA.

Kjo 65-vjeçare për gati dy dekada spiunoi për autoritetet kubaneze, ndërsa punonte si analiste në Agjencinë amerikane të Inteligjencës, raporton BBC.

Pasi u arrestua më 2001, eprorët thanë se ajo kishte zbuluar të pothuajse të gjitha operacionet e inteligjencës amerikane në ishull, ndërsa njëri tha se ishte “ndër spiunet që u ka shkaktuar më së shumti dëme”, por SHBA kishte arritur ta kap.

Kreu i kundërzbulimit gjatë presidencës së George W. Bush, Michelle Van Cleave, i tha Kongresit në vitin 2012 se Montes “kompromentoi gjithçka, pothuajse gjithçka, që dinim për Kubën dhe se si vepronim në Kubë”.

“Pra, kubanezët ishin të vetëdijshëm për gjithçka që dinim për ta, dhe mund ta përdornin atë në avantazhin e tyre. Përveç kësaj, ajo ishte në gjendje të ndikojë në vlerësimet për Kubën në bisedat me kolegët e saj dhe kishte aftësinë t’ia përcillte informacionin që merrte fuqive të tjera”, tha Cleave.

Pas arrestimit, Montes u akuzua për zbulimin e identitetit të katër spiunëve amerikanë dhe sasi të madhe materialesh të klasifikuara. Ajo u dënua me 25 vjet burg dhe gjykatësi i dënimit e akuzoi atë se po rrezikonte “të gjithë kombin”.

Megjithatë, ndryshe nga spiunët e tjerë të profilit të lartë të kapur gjatë Luftës së Ftohtë, Montes ishte motivuar nga ideologjia dhe jo nga përfitimet personale. Ajo pranoi të punonte për inteligjencën kubane pjesërisht sepse kundërshtoi aktivitetet e administratës së Reganit në Amerikën Latine. /Telegrafi/