Telegrafi

Pas shtyrjes së zgjedhjeve në veri, sot mblidhet KQZ-ja

Një ditë pas shtyrjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për KosovaPress, se mbledhja do të mbahet sot, e diel, duke filluar në orën 11:00.

“Pas vendimit të Presidentes së Republikës për shtyrjen e zgjedhjeve dhe caktimn e datës së re për mbajtjen e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë hapat e mëtutjeshëm”, tha Elezi në një përgjigje me shkrim.

Për shkak të rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se zgjedhjet janë shtyrë për në prill.

Ajo caktoi 23 prillin e vitit 2023, datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan dhe për kuvendet komunale të Zveçanit dhe Leposaviqit.