Bledi Çuçi, tashmë ish-ministër i Brendshëm, ka reaguar në lidhje me shkarkimin nga detyra që kryeministri Rama njoftoi të shtunën.
Përmes një postimi në Facebook, Çuçi falënderoi shefin e qeverisë për besimin e dhënë. Ai shton se prej ditës së parë që ka qenë në atë detyrë e ka ushtruar me përgjegjshmëri dhe integritetin më të madh.
“Falënderoj kryeministrin Rama për besimin dhe mbështetjen që më ka dhënë këto dy vite e gjysmë në detyrën e vështirë të Ministrit të Brendshëm. Për mua ka qenë nder dhe përgjegjësi e madhe të ushtroja këtë funksion të lartë publik dhe shumë të rëndësishëm.
Prej ditës së parë kur e mora atë detyrë e deri më sot kam punuar e shërbyer me integritet dhe bashkë me skuadrën e Ministrisë së Brendshme kemi adresuar shumë sfida që lidhen me sigurinë, rendin publik, emigracionin, gjendjen civile dhe pushtetin vendor.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që ishin krah meje në këtë rrugëtim sfidues.
Suksese Taulantit në sfiden e re, për të vijuar me reformat transformuese në këtë ministri e veçanërisht në Policinë e Shtetit”, shkruan Çuçi në Facebook. /Telegrafi/