Një urë hekurudhore në Norvegjinë juglindore që kalonte nëpër një lumë të fryrë nga shiu i rrëmbyeshëm u shemb të hënën, thanë autoritetet.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Bane NOR, një agjenci qeveritare e ngarkuar me infrastrukturën hekurudhore norvegjeze, tha se pjesa qendrore e urës së çelikut mbi lumin Laagen rrëshqiti në ujë “për shkak të dëmtimit të themelit të urës qendrore”.
Dhe i gjithë qarkullimi nëpër urë u ndërpre një javë më parë nga frika se ajo do të shembet për shkak të vëllimit të madh të ujit.
“Bane NOR sapo kishte filluar të hetonte shkallën e dëmtimit të urës të hënën në mëngjes kur pjesa e mesme rrëshqiti në lumë”, tha agjencia në një deklaratë.
Ura thuhet se është 172.5 metra e gjatë, ka një themel të drejtpërdrejtë në shtratin e lumit dhe është ndërtuar në vitin 1957.
Ndryshe, shiu çoi në evakuimin e mijëra njerëzve në Norvegjinë juglindore, ku një sasi e madhe uji, e mbushur me pemë të thyera dhe mbeturina “trazoi” lumenjtë zakonisht të qetë pas disa ditësh shiu të rrëmbyeshëm. /Telegrafi/