Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pasi Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar sot kërkesën e deputetit të Partisë Demokratike, Tritan Shehu për të votuar rezolutën që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë në Bosnjë-Hercegovinë.
Me një gjuhë të ashpër Rama i është kundërpërgjigjur Sali Berishës, se ajo nuk ishte rezolutë, por lojë e ulët nga ana e tij, një i shpallur ‘non grata’ nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë.
“Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç’ne kjo rezolutë sot, pse, me ç’rast? Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s’ishte rezolutë po lojë e ulët!”, ka shkruar Rama në Twitter, transmeton Telegrafi.
“Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracise, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t’u ringjallur nga varri i tij politik! Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë!”, ka shkruar kryeministri shqiptar.
Ky reagim i Ramës vjen pasi deputetët socialistë votuan kundër një rezolute për dënimin e krimeve dhe genocidit serb në Srebrenicë, një iniciativë kjo e deputetëve mbështetës të Berishës.
Kaq ka mjaftuar që Sali Berisha përmes një fjale me ngjyra të forta nacionaliste të shpërthente në akuza ndaj shumicës socialiste. /Telegrafi/