Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi se opozita do të nisë protestat mbarëpopullore.
Vendimi politik u mor pas takimit me drejtuesit e partive aleate të opozitës.
“Dita e sotme është një shembull i keq se vendi drejtohet nga një kriminel, i cili ka marrë peng bukën e gojës së shqiptarëve. Prej 7 vitesh PD dhe opozita ka bërë betejë me të. Kemi demaskuar korrupsionin dhe rendin kushtetues, të zgjedhjeve të vjedhura. Është guri i rëndesës për çdo shqiptar që vuan prej pamundësisë nga hajdutëria e babazitue e Edi Ramës. Si sot para 3 vjetësh më 17 maj, unë u ula me këtë njeri me shpresën se mund të arrihej një marrëveshje në të mirë të vendit po koha e tregoi se gabova. Por nuk do gaboj përsëri. Mbështesim Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit dhe do ketë organizim të protestave qytetare dhe mbarë popullore, me efekt të menjëhershëm”, tha Basha.
Pas gati tre vitesh protestë dhe rezistencë për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nga artistët, intelektualët dhe shoqëria civile, në orët e para të mëngjesit të sotëm ka nisur dhe shembja e kësaj godine.
Forca të shumta të policisë rrethuan zonën duke nxjerrë nga Teatri një pjesë të aktorëve që ishin brenda si dhe kanë ushtruar dhunë edhe ndaj medieve. Policia rrethoi të gjithë perimetrin e Teatrit duke u dhënë mundësinë makinerive të nisin punën për shembjen e ndërtesës. /Ora News/