Telegrafi

Pas rezultatit në zgjedhje, Ismajl Kurteshi kërkon dorëheqjen e Lutfi Hazirit nga drejtimi i Gjilanit

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi ka kërkuar zgjedhje lokale në Gjilan pas shpalljes së rezultateve për zgjedhjet parlamentare.

Kurteshi në një lidhje direkte për “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se me fitoren e thellë të Vetëvendosjes në Gjilan ndaj LDK-së, kryetari Lutfi Haziri nuk ka më legjitimitet për të udhëhequr me këtë komunë, përcjell Telegrafi.

“Natyrisht se do të duhej të ndodhnin ndryshimet edhe para kohës së zgjedhjeve në pushtetin lokal, pasi një parti që momentalisht është në opozitë udhëheq me një diferencë aq të madhe”, tha ai.

I pyetur për koalicionin në nivelin qendrorë me LDK-në, Kurteshi ka thënë se ai koalicion ishte kërkuar edhe para zgjedhjeve.

“Numri i votave dhe ulëseve në Kuvendin e Kosovës imponon një koalicion të tillë, por edhe për faktin se LDK dhe Vetëvendosje kanë qenë partitë e vetme në opozitë ndërsa tjerat kanë qenë në pushtet”, tha ndër të tjera Ismajl Kurteshi./Telegrafi/